Wednesday, January 7, 2009

Body Of Lies


Leonardo DiCaprio e Russell Crowe.rrëfejnë ne kinema Millennium, një histori spiunësh, një dramë e përshtatur nga libri i gazetarit të “Washington Post”

“Body of Lies” ose të mos i besosh askujt!

Leonardo DiCaprio: “E kuptoj se mund të jetë e vështirë për publikun amerikan që të shikojë një film të tillë që flet për një konflikt të hapur edhe sot e kësaj dite. Konflikti i luftës në Irak është një nerv i zbuluar….”
Ridley Scott:”Kam xhiruar pesë filma në Lindjen e Mesme. Kujtoj herën time të parë në Jordani. U prezantova me ministrin e kulturës, një burrë elegant që i ngjante pjesërisht personazhit të Hanit, të interpretuar nga Mark Strong. Pasi biseduam miqësisht për gati një orë më pyeti se përse regjisorët amerikanë i bënin gjthnjë arabët të këqinj në filmat e tyre”.

Thuaj Ridley Scott dhe menjëherë do të vijnë në mendje filmat “The Gladiator”, “Blade Runner”, “Alien”, “Black Hawk Down”, “Thelma & Louise” e shumë të tjerë që tashmë janë pjesë jo vetëm e filmografisë personale të regjisorit, por edhe të historisë kinematografike botërore. Me këtë mori mori filmash që nuk harrohen lehtë, Ridley Scott rikthehet në kinema “Millennium”. Këtë herë është filmi I tij më I fundit, “Body of Lies”, një histori spiunazhi, aksion dhe dramë që përfshin dy nga mitet e kinematografisë bashkëkohore, Leonardo DiCaprio e Russell Crowe.
Një histori spiunazhi amerikan
“Body of lies” mbërrin në ekranin e madh të kinemasë “Millenniium” më 8 janar duke u shënuar si premiera e parë e vitit 2009, Ai është një tjetër film që merr frymëzim nga tema e terrorizmit tashmë një karakteristikë e prodhimeve të fundit të kinemasë amerikane. Historia e filmit është mbështetur mbi librin me të njëjtin titull të David Ignatius, gazetar i “Washington Post”. Në qendër të saj janë dy agjentë, njëri prej të cilëve është Roger Ferris, interpretuar nga Leonardo DiCaprio. Ai është një nga agjetnët më të mirë të shërbimeve sekrete amerikane. Ai flet arabisht, di të lëvizë, të përshtatet, të vendosë marrëdhënie të shpejta dhe të marrë informatat e duhura. Ed Hoffman (Rusell Crowe) është shefi i tij, në Uashington. Ndërsa ndihmon fëmijët për të hipur në makinë apo për t’i ushqyer, me një telefon drejton lëvizjet e Ferris. Ai është një tip i rreptë, i qartë në idetë e tij dhe nuk i beson askujt. Ndërsa Ferris ka të tjera vizione mbi të drejtën. Me një tjetër vizion për terrorizmin, është shefi i shërbimeve sekrete jordaneze, Hani Salaam, (Mark Strong) i cili mbyll trekëndëshin e personazheve që sjellin nëpërmjet këtij filmi tre perspektiva të ndryshme nga pikëpamja morale, politike dhe fizike. Filmi lëviz mes shumë sheshxhirimeve pa u zbehur dhe me ritëm mjaft të mirë. Kjo falë mjeshtërisë së regjisorit Ridley Scott i cili me katër ose gjashtë kamera për skenë arrin të japë gjithcka deri në në thelbin e saj, pak Ferris, e pak Hoffman atje.

Leo:”Spiunët si unë”
Padyshim që vëmendja e publikut dhe e kritikës për këtë film është përqendruar tek dy zgjedhjet kryesore të regjisorit; protagonistët Leonardo DiCaprio dhe Russell Crowe. Këtij të fundit I është dashur të shtojë 30 kilogramë për të luajtur sa më mirë rolin e Ed Hofman, veteranit të CIA-s që komandon nga larg operacionin sekret. Por peshën kryesore të filmit e mban Roger Ferris që mishërohet në shpirtin dhe trupin e aktorit Leonardo DiCaprio. Një personazh kompleks që ndodhet mes dy zjarresh. DiCaprio komenton kështu për rolin e tij: "Nga personazhi im më ka tërhequr fakti që është një patriot që e do vendin e tij dhe dëshiron t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme. Ndonëse misioni i tij shpesh bëhet i pamundur pikërisht nga vendi i tij, përpiqet të bëjë atë që është e drejtë. Përvec të tjerash përpiqet të kuptojë kontekstin e situatës në të cilën gjendet dhe të japë zgjidhje afatgjata në të kundërt me CIA-n që dëshiron rezultate të menjëhershme. Ishte e lehtë që të identifikohesha me personazhin tim, Roger Ferris. Por ndonëse kjo gjë ishte e lehtë, më është dashur shumë punë për ta interpretuar, sepse vështirësia ishte në faktin se më duhej të ruaja tensionin e lartë të një personazhi që përpiqej të jepte maksimumin. Jam mbështetur në përvojat e agjentëve të vërtetë për ta krijuar por jam mbështetur edhe në librin nga është nxjerrë skenari i filmit, "Body of Lies" i gazetarit të “ Washington Post”, David Ignatius. Është gjithashtu e vërtetë se CIA nuk do të mund të funksiononte nëse nuk do të vepronte në fshehtësi të plotë dhe janë shumë të pakta informacionet mbi agjentët e saj. Megjithatë mendoj se puna e bërë në fazën e shkrimit të skenarit është e shkëlqyer dhe kur pranoj një rol e bëj pikërisht duke u bazuar mbi skenarin..nuk kërkoj medoemos një film politik. Por është gjithashtu e vërtetë që kur më jepet rasti nuk refuzoj dhe kështu kam bërë me filmat “Blood Diamond” dhe “Body of lies”.
I pyetur nga shtypi për mesazhin e këtij filmi aktori Leonardo DiCaprio përgjigjet: “E kuptoj se mund të jetë e vështirë për publikun amerikan që të shikojë një film të tillë që flet për një konflikt të hapur edhe sot e kësaj dite. Konflikti i luftës në Irak është një nerv i zbuluar dhe ndoshta do të duhet më shumë kohë për të reflektuar rreth filmit, sic ka ndodhur pak a shumë edhe me filmat mbi luftën në Vietnam. “Body of lies” është një film politk që përpiqet të jetë sa më aktual. Në të njëjtën kohë jemi përpjekur tu përmbahemi fakteve dhe t’i tregojmë gjithcka në një mënyrë realiste duke nxjerrë në pah si anët pozitive edhe ato negative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhënieve të saj të vërteta me vendet e tjera, Kjo do ta lejojë publikun të ndalojë një cast për të reflektuar”- përfundon aktori.


Të xhirosh në Lindjen e Mesme
“Body of Lies” është filmi i pestë në karrierën e regjisorit Ridley Scott që xhirohet në Lindjen e Mesme, një detaj që komentohet me një kujtim nga përvoja e tij e parë. ”Kam xhiruar pesë filma në Lindjen e Mesme. Kujtoj herën time të parë në Jordani. Prezantohem me ministrin e kultures, një burrë elegant që i ngjante pjesërisht personazhit të Hanit, të interpretuar nga Mark Strong. Pasi biseduam miqësisht për gati një orë më pyeti se përse regjisorët amerikanë i bëni gjthnjë arabët të këqinj në filmat e tyre. Nuk arrita të përgjigjesha pasi menjëherë më tha që po bënte shaka..Megjithatë nuk ishte i gabuar si vëzhgim e duke iu referuar personazheve të “Body of lies” mund të them se Ed Hoffman bëri të njëjtin gabim duke i konsideruar perëndimorët më të zotë sesa arabët. Ndërsa Roger Ferris e njihte mirë kulturën e tyre, traditat, historinë dhe kështu që mësoi t’i respektonte dhe t’i vlerësonte arabët”. Duke qëndruar tek puna e regjisorit dhe konkretisht në filmin e tij më të fundit Ridley shprehet:: “Ajo që shihet në film është një realitet i ditëvve tona; kur drejtuesit kontrollojnë prej së largu agjentët në mision pa patur nevojë të maskohen. Personazhi i Russell Crowe nuk punon në front, por pas kuintave, pak a shumë sic e imagjinojnë njerëzit punën e një regjisori. Megjithatë kur unë xhiroj bie në peshë, kaloj netë të tëra pa gjumë dhe lodhem shumë”. Ndonëse ka drejtuar filmat kult “Alein” dhe “Blade Runner” edhe sot e kësaj dite Ridley Scott punon sikur të jetë me filmin e tij të parë. Ai ka filluar në të njëjtat vite me regjisorët Steven Spielberg e Martin Scorsese, por ndërsa këta tashmë fitojnë prej emrit të tyre,, Ridley Scott gjykohet për cdo film të tij sikur të ishte një debutues. Një fat u cuditshëm për njërin prej autorëve më të profilizuar të Hollivudit.

Një staf Oskarësh dhe “Gladiatorësh”
Regjisori Ridley Scott duket se preferon të punojë me një staf të njohur dhe me artistë që kanë shijuar ose kanë qenë shumë pranë trofejut më të madh kinematografik sic është statuja Oskar. Dhe këtë mund ta kuptosh fare lehtë duke I hedhur një sy stafit të filmit “Body of Lies”. Duke filluar nga nga aktori i nominuar për cmimin Oscar, Leonardo DiCaprio (“Blood Dianmond”, The Aviator, The Departed ), tek aktori fitues i Oskarit, Russell Crowe (“The Gladiator”,), tek Mark Strong ,I njohur për interpretimin e tij në filmin “Stardust” të shfaqur gjatë vitit 2008 në kinema MIllennium, tek aktorja iraniane Golshifteh Farahani (“M for Mother”), tek Oscar Isaac (“The Nativity Story”) dhe së fundi tek Simon McBurney të cilin spektatori shqiptar e ka parë në filmin “The Golden Compass”. Edhe përtej aktorëve përzgjedhja e stafit krijues është e shkëlqyer. Skenari I përshtatur nga romani I editorialistit të “Washington Post”, David Ignatius, është firmuar nga fituesi I Oskarit, Ëilliam Monahan (“The Departed”). Donald De Line (“The Italian Job”) e Ridley Scott janë producentët ndërsa Michael Costigan (“American Gangster,” “Brokeback Mountain”) e Charles J.D. Schlissel (The Prestige) janë producentët ekzekutivë të filmit. Stafi krijues pas kuintave është udhëhequr nga drejtori i fotografisë, Alexander Ëitt (“American Gangster”), nga skenografi i nominuar për Oscar,, Arthur Max (“American Gangster”, “The Gladiator”) nga montazhieri fitues I statujës së artë, , Pietro Scalia (“Black Hawk Down”), e nga një tjetër fitues I cmimit Oscar dhe realizues I kostumeve te filmit “The Gladiator”, Janty Yates. Marc Streitenfeld (“Kingdom of Heaven”) ka kompozuar kolonën zanore të filmit.

Skeda e filmit
Titulli: “Body of Lies”
Regjia: Ridley Scott
Skenari: Ëilliam Monahan, David Ignatius
Gjinia: Aksion, dramë, triller
Aktorë:
Leonardo DiCaprio në rolin e Roger Ferris
Russell Crowe në rolin e Ed Hoffman
Mark Strong në rolin e Hani Salaam
Kohëzgjatja: 128 min
Sinopsi
Roger Ferris (Leonardo DiCaprio ) është një agjent i shërbimeve sekrete amerikane, ndoshta nga më të mirët. Ai dërgohet në Jordani për të bashkëpunuar me shefin e shërbimeve sekrete të këtij vendi, në kapjen e një antari të Al Qaed-ës.. Ai që e kontrollon dhe e ndihmon Ferris, nëpërmjet telfonit është Ed Hoffman (Russell Crowe) një veteran i CIA-s.